Vettel: Kampionat i paparashikueshëm

24/03/2011 19:55

Rezultatet e arritura në provat dimërore bëjnë që kampioni në fuqi, Sebastian Vettel, të shihet si favorit për të fituar garën e parë të sezonit të Formulës 1 në Australi, por vetë gjermani deklaroi se parashikon të shohë një sezon shumë të paparashikueshëm.

”Në këtë sezon, situata është më e ndërlikuar, prandaj nuk mund t’a dimë se sa konkurrues jemi. Do të përpiqemi të nisemi sa më mirë dhe testimet janë inkurajuese, por është e qartë që ky do të jetë një Botëror shumë i dyluftuar”, deklaroi Vettel.

”Lajmi i mirë për ne është besueshmëria e makinës dhe kjo është konstatuar që në xhirot e para, por nëse jemi mjaftueshëm të shpejtë, këtë do t’a zbulojmë këtë fundjavë”.

I pyetur për rivalët e tij për titull, Vettel devijoi nga përgjigja me elegancë, duke theksuar se diferencën nuk do ta bëjnë pilotët, por makinat.

”Në Formulën 1, ashtu si zakonisht, pilotët që do të kenë makinat më të mira do të kenë më shumë shanse për të fituar. Sezoni do të jetë i gjatë dhe përpjekjet do të jenë të shumta. Mund të fitojmë në garën e parë duke i lënë të gjithë një xhiro pas, e në fund të sezonit të mos mbahet mend fare”.

Top Channel