Siri, autoritetet premtojnë reforma politike

24/03/2011 19:15

Liderat sirianë bënë të ditur se janë të gatshëm të kryejnë disa reforma të rëndësishme politike, pasi disa ditë protesta të dhunshme në vend kanë shkaktuar vdekjen e disa dhjetëra qytetarëve.

Sipas BBC, premtimi kryesor i deritanishëm është heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila qëndron në fuqi që prej vitit 1963 dhe i jep policisë kompetenca të shtuara.

Njëkohësisht, qeveria e Damaskut premtoi edhe një hetim të hollësishëm për vrasjen e të paktën 15 personave në qytetin e Derës, shifër kjo e pranuar zyrtarisht, por që mund të jetë deri në 100 viktima sipas disa organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Qytetarët e Sirisë kërkojnë më shumë të drejta politike dhe demokratizimin e shoqërisë. Presidenti Bashar el-Assad drejton vendin prej 11 vitesh, pasi trashëgoi pushtetin nga babai i tij që udhëhoqi vendin në mënyrë despotike për më shumë se tre dekada.

Top Channel