Misteri i vajit me kokainë

24/03/2011 00:00

Pronari i punishtes së ëmbëlsirave Merentino përjashton kategorikisht faktin se është i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.

Kristaq Kotro shprehet se ishin të tjerë të përfshirë në këtë trafik, dhe se ai nuk ka lidhje me askënd.

“Personi që solli ngarkesën ishte shofer i cili u ndalua për pak dhe u lirua  të tjerë, sic u lirova edhe unë. Ishin të tjerë  që e bënin atë punë”, deklaron biznesmeni Kotro.

Pronaret e kokainës së bllokuar në Gjirokastër mundet të jenë vënë në dijeni se po përgjoheshin, ndaj ata nuk dolën që ta prisnin mallin në Europë.

Kotro, pa zbuluar ndonjë sekret të hetimeve shprehet se vaji i përzier me drogë ishte në Belgjikë i porositur nga një tregtar në Poloni. Kotro tha se kishte porositur thjesht vaj dhe e dinte që origjina ishte nga Danimarka.

“Kisha dijeni se vaji ishte nga Danimarka. Gjithmonë vajrat vijnë nëpërmjet Greqisë me kontenierë. Ky ishte një vaj i cili ishte thënë se ishte në Belgjikë dhe kishte destinacion Poloninë dhe personi që e priste nuk e donte dhe thamë që ta merrnim ne”, thotë Kotro.

Kotro hedh poshte idenë se në punishten e tij të ëmbëlsirave ka laborator droge.

“Portat janë të hapura për shtetin, tatimet, policinë, për të gjithë. Unë jam i gatshëm që të paraqitem në cdo moment kur të më thonë”, thotë biznesmeni gjirokastrit.

Sipas tij, historia ku e përfshinë pa dashje i ka shkaktuar një humbje të madhe të biznesit. Furnitorët europianë si edhe blerësit hezitojnë në këto momente të vazhdojnë bashkëpunimin me të.

Në firmën e ëmbëlsirave Merentino punojnë 260 persona.

Top Channel