Jemen, presidenti: Largohem gradualisht

24/03/2011 21:15

Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, premtoi këtë të enjte transferimin gradual të pushtetit dhe largimin paqësor të tij nga skena politike, por nuk dha asnjë të dhënë për kohëzgjatjen e këtij procesi.

Intervista e tij u transmetua gjatë pasdites nga kanali televiziv “Al-Jazeera”. I përballur me protesta gjithmonë e më masive dhe të dhunshme, Saleh premtoi afrimin e datës së zgjedhjeve në janar 2012, në vend të shtatorit 2013, kur mandati i tij përfundon me të vërtetë.

”Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë ndonjë njeri të përjetshëm”, deklaroi Saleh. “Dialogu politik dhe fuqia duhet të transferohen paqësisht dhe nëpërmjet institucioneve kushtetuese”.

Një javë pasi 52 persona u vranë në protesta të premten e shkuar, nesër është paralajmëruar një tjetër grumbullim masiv anti-qeveritar pas faljeve të nesërme. Dita është quajtur “e premjta e largimit”.

Top Channel