Izrael, raketat godasin qytetin e Ashdodit

24/03/2011 15:15

Dy raketa të qëlluara nga Rripi i Gazës goditën sot Izraelin, një ditë pas sulmit të forcave ushtarake izraelite mbi territorin e kontrolluar prej Hamasit.

Një raketë shpërtheu në qytetin port të Ashdodit, ndërsa një tjetër goditi rrethinat e tij, konfirmuan shërbimet ushtarake të Izraelit.

Nuk ka raportime për viktima. Këto sulme konsiderohen si kundërpërgjigja e militantëve islamikë, pasi bombardimet shkaktuan nëntë viktima një ditë më parë në tokën palestineze, nga të cilët katër civilë.

Këto zhvillime janë konsideruar si më të rrezikshme që prej aksionit masiv ushtarak të Izraelit mbi Palestinë, në dhjetor 2008 dhe janar 2009.

Një ditë më parë, një bombë shpërtheu në një stacion autobuzi në Jeruzalem, duke shkaktuar një viktimë dhe dhjetëra të plagosur.

Top Channel