Forcat keniane shkelin territiorin e Somalisë

24/03/2011 15:45

Forcat keniane shkelën territorin e Somalisë për të luftuar militantët e al-Shabab, një burim zyrtar deklaroi për BBC.

Ndonëse qeveria e Najrobit nuk i ka konfirmuar këto thënie, një e përditshme keniane informoi se 12 militantë mbetën të vrarë pranë qytetit kufitar të Liboit.

Kenia ka mbështetur prej kohësh qeverinë legjitime somaleze dhe ka kontribuar duke stërvitur trupa, por nëse lajmi konfirmohet, kjo është hera e parë që shkelet sovraniteti tokësor i Somalisë.

Grupimi i Al-Shabab, i cili virtualisht kontrollon Somalinë, ku një qeveri nuk ka mundur të jetë efektive prej të paktën 20 vitesh, ka kërcënuar ë parë Kenian me ndërmarrjen e sulmeve terroriste, por asnjë prej tyre nuk ka ndodhur.

Një vit më parë, Al-Shabab kreu një sulm të dyfishtë në kryeqytetin e Ugandës, Kampala, ku 76 persona mbetën të vrarë. Sulmi u justifikua si një hakmarrje për ndihmesën që Uganda i kishte dhënë qeverisë qëndrore të Somalisë.

Al-Shabab është një organizatë e lidhur me Al-Kaedën, që kontrollon pjesën jugore dhe qëndrore të vendit, përfshi kryeqytetin Mogadishu.

Top Channel