Egjipt, ushtria çnderon gratë protestuese

24/03/2011 20:15

Një grup i rëndësishëm i të drejtave të njeriut deklaroi se ushtria egjiptiane arrestoi, torturoi dhe detyroi gratë të kryenin teste virgjërie, gjatë protestave të regjistruara më parë gjatë muajit.

”Amnesty International” i kërkoi autoriteteve që të hetojnë rreth ngjarjeve të Kajros, ndërsa shtoi se të paktën 18 femra u arrestua nga ushtria gjatë protestave në sheshin Tahrir, në datën 9 mars.

Sipas organizatës, ato u rrahën, u goditën me rrymë elektrike dhe u kontrolluan në zonat e tyre intime.

Një 20-vjeçare e quajtur Salwa Hosseini deklaroi se u detyrua nga një gardiane femër e burgut që të zhvishej dhe të kryente një test virgjërie, ndërsa ushtarët meshkuj e shihnin dhe e fotografonin nudo.

”Detyrimi i grave për të kryer teste virgjërie është tërësisht i papranueshëm. Qëllimi është degradimi i grave vetëm sepse ato janë gra.

Gratë dhe vajzat egjiptiane duhet të jenë në gjendje të shprehin mendimin e tyre mbi të ardhmen e vendit pa patur frikë se do të arrestohen, do të torturohen apo do t’u nënshtrohen trajtimeve diskriminuese”.

Virgjëria është një vlerë shumë e vlerësuar në vendet arabe dhe Egjipt. Gratë jo të virgjëra u kërcënuan me paraqitjen e akuzave të prostitucionit ndaj tyre.

Top Channel