
Regjisori dhe një ndër mbështetësit e idesë së shndërrimit të godinës së piramidës në teatër, Arben Kumbaro, tregon sesi nisën dhe dështuan projektet për kthimin e saj në një ambjent për artin dhe artistët.
“Pata një moment entuziazmi pasi Berisha tha se do ta kthente në teatër. Pas shumë kalvaresh me tendera e influenca filloi projekti, por jo ashtu sic ishte i pari. Filloi të derdheshin eurot, por pastaj doli që piramida do prishet. Kjo është më tepër një histori abuzimi, sesa një ambicje për t’i dhënë këtij shteti institucionin më të nderuar”, tregon Kumbaro.
Por pse dështoi projekti i parë dhe ai i dytë, i cili nisi të zbatohet në kohën kur ministër Kulture ishte Ylli Pango. Regjisori Arben Kumbaro kujton se në atë kohë nuk ka marrë asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse për këtë cështje.
“Njeriu që ndikoi direkt në deformimin e projektit të parë ka qenë Ylli Pango. Unë punova për dy vjet atje, e kuptova që gjërat s’po shkonin në drejtimin e duhur dhe i kam shkruar letra qeverisë. Por, nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe pas 6 muajsh doli projekti që të kthehet në Parlament”, rrëfen Kumbaro.
Godina e piramidës, është një ndër veprat më madhështore në periudhën e socializmit në vendin tonë, një godinë e cila mbart mbi vete histori. Por edhe pse e tillë, sot politikanët kanë vendosur ta zhdukin.
“Është marrë një vendim parlamenti dhe nuk e di sa të bindur janë vetë deputetët për të. T’i mund të bësh mrekullira me arkitekturën e sotme, por nuk do të bësh histori”, shprehet Kumbaro.
Por, ndërsa i gjithë komuniteti i arkitektëve dhe shumë specialistë të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të thjeshtë janë shprehur kundër prishjes së saj, në gazetën vjeneze “Wiener Zeitung”, në një artikull të botuar që më 12 mars, thuhet se fitues për projektin e Parlamentit shqiptar është arkitekti vjenez Wolfgang Prix.
Ky rezultoi të ishte fituesi edhe këtë të enjte, cka hedh dyshime mbi konkursin e zhvilluar. Nga data 12 mars deri tani presupozohej se projektet ishin ende në fazë konkurimi dhe duhet të votoheshin edhe nga qytetarët, në një kohë që publikimi në “Wiener Zeitung” tregon se ai ishte paravendosur pa konkurs.
Në gazetën në fjalë thuhet se Prix kishte marrë përsipër edhe rikonstruksionin e Parlamentit austriak, duke tejkaluar ndjeshëm kostot fillestare, të cilat tashmë kanë arritur në 300 milionë euro, por shuma mund të rritet edhe më tej.
“Por shqiptarët janë më të guximshëm”, shkruan gazeta me ironi, duke lajmëruar kosto qindra milionë euroshe për ndërtimin e Parlamentit shqiptar.
Top Channel