Liban, merren peng shtatë europianë

23/03/2011 18:20

Shtatë turistë europianë u morrën peng disa orë më parë ndërsa ishin duke pedaluar në Luginën e Bekës, Liban, bënë të ditur burime të sigurisë.

Të shtatë janë me pasaporta estoneze apo ukrainase. Ata u rrëmbyen nga njerëz të armatosur, të cilët i urdhëruan të linin biçikletat dhe të ngjiteshin në dy furgona.

Nuk është e qartë nëse ky rrëmbim ka një motivim politik. Zona ku ndodhi ngjarja njihet si nën administrimin e lëvizjes islamike Hezbollah, e cila ka praktikuar rrëmbimet e personave që prej viteve 1980.

Ngjarja ndodhi pranë qytetit të Zahles, ndërsa turistët kishin fare pak kohë që ishin futur në territorin libanez prej Sirisë.

Top Channel