Koalicioni: Gaddafi nuk ka më forca ajrore

23/03/2011 16:15

Një drejtues i lartë i flotës ajrore britanike bëri të ditur se bombardimet e këtyre ditëve kanë shkatërruar të gjithë forcën ajrore të kolonelit Gaddafi.

Zëvendës-marshalli Greg Bagwell i cilësoi si shumë të suksesshme sulmet e deritanishme, të cilat “kanë neutralizuar” tërësisht forcën ajrore të diktatorit libian.

Këto deklarata të zyrtarit u lëshuan nga baza ajrore e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF), në aeroportin ushtarak të Xhioja del Koles, Itali.

”Jemi duke parë situatën e njerëzve të pafajshëm në Libi dhe po bëjmë të mundur që t’i sigurojmë ata nga çdo ndërhyrje”, tha Bagwell.

”Lajmi i mirë është që forcat qeveritare nuk mund të përdorin më avantazhin e pakrahasueshëm që të ofrojnë avionët, për të vrarë rebelët dhe popullësinë civile”.

Këto komente mbërritën ndërsa koalicioni i vendeve perëndimore debaton për faktin se kush do të drejtojë operacionet ushtarake. SHBA është shprehur e gatshme të lërë këtë konflikt në duart e NATO-s.

Top Channel