Eto’o: Unë më i shpejtë se Bolt-i

23/03/2011 19:55

Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, i lëshoi sfidën rekordmenit të botës në 100 dhe 200 mertra, Usain Bolt-it, duke vënë në pikëpyetje se cili është njeri më i shpejtë në botë, gjatë një interviste që do të publikohet së shpejti në një program të “Italia 1”.

Siç bën të ditur “Mediaset” në faqen zyrtare, i pyetur se cili është njeriu më i shpejtë në botë, Eto’o deklaroi: “Pa një top, është e qartë që Bolt-in nuk e mund askush, por çështja ndryshon nëse edhe atij i vendoset një top futbolli përpara. Në stërvitje kam qenë unë më i shpejtë”.

Bolt është një tifoz i madh i Interit dhe të dy kanë patur mundësinë të stërviten bashkë, gjatë një vizite që xhamajkani i bëri zikaltërve në vitin 2010. Midis Eto’osë dhe Boltit ekziston një admirim i ndërsjelltë.

Në intervistën e tij, kamerunasi komentoi edhe çështjen delikate të racizmit. “Një herë, ndërsa luaja për një klub disa vite më parë (nuk përmend emrin), makina ime u godit dhe shoferi më goditi me vezë.

Unë isha brenda në makinë së bashku me djalin tim. Kush janë këta racistë? Janë ata që kanë qëndruar të mbyllur në shtëpi dhe nuk e dinë që jemi të gjithë të barabartë.

Në Itali racizmi është më i fortë, por jo sepse tifozët janë ndryshe. Ajo që ndodh në stadium është reflektim i asaj që ndodh në rrugë dhe e gjithë shoqëria italiane duhet të punojë për të ndrequr këtë pikë”.

Top Channel