Libi, Gaddafi vazhdon të ketë iniciativën

22/03/2011 15:15

Forcat e Muammar Gaddafi-t vazhdojnë të bombardojnë me mortaja disa qytete në duart e rebelëve, ndërsa tanqet dhe snajperat e ushtrisë kanë mbetur ende të paprekur nga bombardimet aleate.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare në vend, trupat rebele e kanë të vështirë të organizohen për momentin, ndërsa forcat e kolonelit vazhdojnë të kenë një avantazh të rëndësishëm në luftimet tokësore, pavarësisht përkrahjes nga bombardimet e koalicionit perëndimor.

Sulmet ajrore të aleatëve mbi Libi kanë hyrë sot në ditën e tyre të katërt, ndërsa 80 fluturime u zhvilluan të hënën, sipas zyrtarëve amerikanë.

Në drejtim të trupave libiane janë qëlluar 12 raketa “Tomahawk”. Shënjestra e tyre ka qenë komanda libiane dhe stacionet e kontrollit, një bazë lëshimi i raketave “Scud”, reparte të mbrojtjes kundërajrore si dhe dy baza të marines libiane.

Nëntë sulme kanë ndodhur mbi kryeqytet, të tjera në Suara, Misrata dhe në Sirte, qyteti i origjinës së diktatorit.

Një avion ushtarak amerikan u rrëzua më parë gjatë ditës, për motive ende të paqarta, por lajmi është pritur me brohoritje nga trupat qeveritare, ndërsa Gaddafi po përdor lajmin për propagandë dhe për t’i rritur moralin të tijëve.

Një ditë më parë, një ekspert i ushtrisë amerikane deklaroi për “Associated Press” se ka shumë gjasa që lufta të vazhdojë gjatë, sepse pavarësisht bombardimeve, trupat tokësore të Gaddafi-t mbeten shumë më të organizuar dhe të pajisura më mirë se rebelët.

Trupat e forcave anti-qeveritare përbëhen pothuajse eksluzivisht nga qytetarë të qyteteve të lira pa përvojë në artin luftarak.

Për momentin, luftime janë duke u bërë në rrethinat e Ajdabijës, ku forcat e Gaddafi-t kanë formuar barrikada dhe kanë fortifikuar pozicione brenda qytetit.

Misrata, qyteti i vetëm perëndimor në duart e forcave anti-qeveritare, është duke u bombarduar me mortaja nga forcat e Gaddafi-t, ndërsa tanqet dhe snajperat e tij kontrollojnë rrethinat.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, banorët e këtij qyteti janë duke vuajtur urinë dhe mungesën e ujit e ushqimeve. Të vrarët janë disa dhjetëra

Misrata, qyteti i vetëm perëndimor në duart e forcave anti-qeveritare, është duke u bombarduar me mortaja nga forcat e Gaddafi-t, ndërsa tanqet dhe snajperat e tij kontrollojnë rrethinat.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, banorët e këtij qyteti janë duke vuajtur urinë dhe mungesën e ujit e ushqimeve. Të vrarët janë disa dhjetëra çdo ditë.

Top Channel