
Niveli i rrezatimeve në Japoni ka pësuar rritje, pavarësisht se u lajmërua për lidhjen me energji elektrike të të gjashtë reaktorëve të dëmtuar në centralin e Fukushimës.
Pjesë e padomosdoshme e stafit është evakuar nga uzina, ndërsa puna për rikthimin në punë të sistemeve ftohëse u ndërpre dy herë gjatë ditës, pasi tym dhe avull u lëshua nga dy reaktorë, ndërsa një tjetër tërmet i fuqishëm goditi shtetin ishullor.
Kabllot elektrike janë lidhur me reaktorët, por ende nuk kalon energji mjaftueshëm aq sa për të rivënë në punë sistemet e ftohjes dhe aparaturat monitoruese.
Testet e kryera në ujrat pranë Fukushimës treguan nivel radiacionesh mbi normalen dhe sidomos prania e jodit radioaktiv ishte 29 herë më e lartë se kufiri i lejuar.
Sipas gazetës prestigjioze “New York Times”, një muaj përpara katastrofës, rregullatorët qeveritarë vendosën t’i zgjasnin me 10 vjet jetëgjatësinë reaktorit me të vjetër të kompleksit, pavarësisht paralajmërimeve mbi sigurinë e tij.
Në gjeneratorët e reaktorit të parë ishin vënë re disa të çara nga trysnia, që e bënin të prekshem nga korrozioni i ujit të detit dhe atij të shiut.
Zjarrëfikësit po punojnë me turne në central për të shmangur ekspozimin për një kohë të gjatë ndaj rrezatimeve, ndërsa vazhdojnë të spërkatin me ujë rezervuarët e lëndës radioaktive të reaktorëve ku ende nuk është kthyer energjia elektrike.
Deri tani, sipas eksperteve, rrezikun më të madh e paraqet reaktori numër tre, i cili ka lëndë djegëse okside të përzjerë.
Shkrirja e bërthamës së tij do të shkaktonte çlirimin e një mase të madhe radiacioni toksik plutoniumi.
Bilanci i viktimave të tërmetit dhe tsunamit shkatërrimtar llogaritet tanimë në mbi 9.000 të vdekur e 12.600 të zhdukur.
Qindra mijëra vetë po jetojnë në streha të përkoheshme, shumica me rezerva të pamjaftueshme uji e ushqimesh.
Top Channel