
Sulmet e para ajrore në territorin e Libisë nisën në fundjave dhe ndalën avancimin e ofrcave të Gaddafi-t në Bengazi, si dhe goditen disa sisteme të mbrojtjes ajrore për t’u dhënë mundësi avionëve të Perëndimit të kontrollojnë qiejtë. (UPDATE)
Ndërkohë, sot, forcat aleate goditën një bunker të Gaddafi-t, që ndodhej brenda kompleksit të kolonelit në Tripoli.
Sipas zyrtarëve perëndimorë, në këtë godinë ishte vendosur qendra e kontrollit të forcave ushtarake libiane.
Megjithatë, aleatët deklaruan se eleminimi i kolonelit nuk ishte objektivi i tyre. Një zëdhënës francez bëri të ditur se ndonëse inteligjenca e di vendndodhjen e saktë të Gaddafi-t, nuk do të ndërmerret asnjë operacion që synon zhdukjen e tij fizike.
Deklaratat e zëdhënësit francez ranë ndesh me Sekretarin Britanik të Mbrojtjes, Liam Fox, i cili të dielën theksoi se vëndosja në shënjestër e kolonelit është një “mundësi potenciale”.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend t’ia dorëzojnë rolin drejtues të operacioneve në Libi vendeve të tjera.
Ndërsa kryeministri britanik, David Cameron ka deklaruar se synimi i tij është që komanda t’i kalojë NATO-s, por Franca ka deklaruar se vendet arabe nuk e duan drejtimin e Aleancës nga SHBA.
Por ndërsa fuqitë perëndimore vazhdojnë të grinden, gjakderdhja në terren ka vazhduar, pavarësisht një armëpushimi të dekretuar nga ushtria e Gaddafi-t.
Shumë ushtarakë ekspertë mendojnë se koloneli do të përdorë “mburojë njerëzore” për të mbrojtur tanket dhe artiljeritë, që kanë provuar se janë pjesa më efikase e armatimit të tij.
Ndërkohë, në Misurata banorët deklarojnë se furnizimet me ujë janë ndërprerë dhe se trupat qeveritare kanë rrethuar qytetin.
Top Channel