Kombëtarja, biletat mund të blihen online

17/03/2011 13:40

Tashmë edhe tifozët shqiptarë kuqezi në Shqipëri, por edhe jashtë saj, do të kenë mundësi të sigurojnë bileta nëpërmjet internetit në një faqe të veçantë të quajtur “Blini Bileta” e cila ndodhet në pjesën e sipërme të djathtë të faqes zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Mjafton një regjistrim i thjeshtë për t’u futur në këtë faqe ku më pas shfaqen të gjitha vendet bosh të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Prenotimi i kësaj bilete shoqërohet me një kupon që të vjen në e-mail dhe me printimin e tij në 4 pika që do të bëhen publike shumë shpejt në Tiranë, në disa rrethe të Shqipërisë por edhe në Prishtinë.

Gjithkush që ka bërë prenotimin e biletës do të ketë mundësi të shkojë për ta tërhequr. Në këtë mënyrë FSHF do të sigurojë minimizimin e falsifikimit të biletave, pasi tashmë ajo do të jetë elektronike me disa elementë sigurie.

Kompania e cila ka bërë të mundur krijimin e këtij programi bën të ditur se blerja e biletave mund të fillojë që sot. Bileta e tribunës A dhe B për ndeshjen me Bjellorusinë që do të luhet më 26 mars, do të jetë 5000 lekë, karshia apo tribuna D2 do të kushtojë 1 mijë lekë, D1 dhe D3 nga 700 lekë dhe anësore apo siç quhen ndryshe 10-shet do të kushtojnë 200 lekë.

Sigurisht që veç kësaj forme të blerjes së biletave do të vazhdojnë të funksionojnë edhe pikat e mëparshme për të blerë bileta.

Top Channel