Champions, tension në pritje të shortit

17/03/2011 19:55

Tetë ekipet që do të diskutojnë titullin më të rëndësishëm të futbollit europian për klube “mbajnë frymën”, një ditë përpara se shorti që do të hidhet nesër në Nion, Zvicër, të zbulojë fatet e tyre.

Schalke dhe Shakhtari do të jenë “hirushet” e shortit të nesër, skuadra që të gjithë të mëdhatë e Europës shpresojnë që fati t’u vendosë përballë, por është e sigurt se çerekfinalet do të ofrojnë disa sfida midis superfuqive të kontinentit.

Në këtë fazë të kompeticionet nuk ka më asnjë kusht në hedhjen e shortit, prandaj secili ekip, edhe ato brenda një shteti, mund të përballen me njëri-tjetrin.

Ashtu si në vitet e fundit, në rrugën drejt finales së “Wembley”-t dominojnë ekipet angleze. Manchester United, Chelsea dhe Tottenham kanë vendosur kandidaturën për finalen që zhvillohet në tokën e tyre, me disa paraqitje të shkëlqyera deri në këtë pikë të Champions League.

Dy janë skuadrat spanjolle, Barcelona dhe Reali, të cilas kuotohen nga shtëpitë e basteve si dy favoritet kryesore për suksesin përfundimtar në këtë kompeticion.

Në lojë ka mbetur edhe Interi kampion në fuqi, ndërsa gjermanët e Schalke dhe ukrainasit e Shakhtar do të përpiqen të shtyjnë sa më gjatë ëndrrën e tyre për të vënë dorë mbi trofeun.

Top Channel