Inter bën mrekullinë, Bajern jashtë

15/03/2011 22:45

Interi bën mrekullinë! Zikaltërit kanë fituar 2-3 ndaj Bajernit të Mynihut në Allianz Arena duke zhvelftësuar fitoren 0-1 të dy javëve më parë të bavarezëve në San Siro.

Skuadra e Leonardos kaloi që në minutën e 3 në avantazh, kur Eto në një pozicion të dyshimtë loje, përballë portierit Kraft, nuk gabon dhe barazpeshon golin e Gomez shënuar 2 javë më parë në San Siro.

Bavarezët përpiqen të reagojnë dhe në minutën e 21 gjejnë golin e barazimit, një gol ky që ripërsërit skenarin e San Siros, Roben gjuan, Hulio Sezar nuk kontrollon sic duhet dhe përfiton Gomez që barazon rezultatin 1-1. 10 minuta më vonë bavarezët kalojnë në avantazh, këtë herë me autor Myler. Ky gol coroditi mbrojtjen interiste e cila kalohet lehtësisht prej bavarezëve. Por këta të fundit nuk shfrytëzuan si duhet mundësitë e krijuara duke goditur vetëm shtyllën dy herë. Pjesa e parë mbyllet 2-1 për Bajernin.

Në pjesën e dytë, Interi shfaqet një tjetër ekip në fushë, ndërsa Bajerni përpiqet të administrojë rezultatin e pjesës së parë. Zikaltërit përpiqen më shumë duke barazuar në minutën e 61 me Shnajder. Fati i këtij takimi do të vendosej në minutën e 88 kur Pandev kalon kampionët në fuqi në avantazh, një gol ky që përkthehet në kualifikim për interistët, që përmbysën kështu rezultatin 0-1 të dy javëve më parë në Milano.

Ndeshja tjetër mes Man.United dhe Marsejës u vendos nga një dygolësh i shënuar nga Havier Hernandez, i cili shënoi fillimisht në minutën e 5 e më pas në minutën e 75. Marseja rihapi takimin në minutën e 82 falë një autogoli të Braun. Gjithësesi, rezultati përfundimtar ishte 2-1. Man. United fiton me rezultatin e përgjithshëm 2-1, (ndeshja e luajtur në Francë u mbyll 0-0), duke u bërë skuadra tjetër e kualifikuar për në cerekfinalet e Ligës së Kampioneve.

Skuadrat e kualifikuara janë Shaktar, Shalke, Barcelona, Totenhem, Inter dhe Man. United. Dy ndeshjet e së mërkurës, ajo mes Celsit dhe Kopenhagenit e Realit të Madridit me Lionin, do të përcaktojnë dy skuadrat që do të kompletojnë tetë ekipet që do të përballen mes tyre për trofeun prestigjoz në cerekfinale.

Top Channel