Pas tragjedisë nga cunami në Japoni dhe shpërthimeve në reaktorët bërthamorë, opinioni publik në Greqi, shtypi, akoma dhe politikanët grekë, kanë ngritur zërin përsëri dhe shprehin shqetësimin e tyre të madh, për makthin bërthamor që kërcënon vendin, nga planifikimi i ndërtimit të disa centraleve atomike në shtetet fqinje me Greqinë si dhe nga ata ekzistues.

Siç dihet nga 192 centrale nuklearë që ndodhen në të gjithë Europën, pranë Greqisë janë 4 të tillë në Hungari, 1 në Slloveni, 2 në Rumani dhe 2 në Bullgari.

Por në vitet e fundit, përveç Turqisë që planifikon 5 stacione bërthamore në Ikonia në një afat të shkurtër dhe 12 deri në vitin 2032, kanë shprehur ambiciet e tyre për prodhimin e energjisë elektrike nga reaktorët atomikë Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia.

Deputetë të partisë në fuqi Pasok, i kanë drejtuar një peticion ministrit të Jashtëm dhe atij të Ambientit duke shprehur shqetësimin se katër ditë pas tërmetit që tronditi Japoninë me gjithë tekonologjinë e lartë duket se askush nuk mund të përballojë dhe të kontrollojë pasojat e tmerrshme që po shkakton rrjedhja e lëndëve radioaktive.

Problematizimi është tepër i madh për çështjen e sigurisë së tekonlogjisë atomike, sepse përveç rrezikshmërisë së ekzistencës së reaktorëve në vendet e Mesdheut që janë vende sizmike, shtetet që do i ndërtojnë nuk kanë asnjë eksperiencë në menaxhimin e sigurtë të objekteve të tilla të rrezikshme, thonë ata.

Madje deputetët grekë përmendin edhe faktin që vetë kancelarja Merkel kërkoi orët e fundit inspektimin e 17 reaktorëve nuklearë në Gjermani duke deklaruar se aksidenti atomik në Fukusima është një këmbanë alarmi për 442 stacionet bërthamore në të gjithë botën.

Ata kanë kërkuar gjithashtu nga Agjencia Botërore e Energjisë Bërthamore të kryejë kontrolle më të rrepta në reaktorët atomikë të vendeve fqinje me Greqinë.

Top Channel