Bayern-Inter përsërisin finalen

15/03/2011 17:40

Bayern Munchen dhe Interi do të zbresin sot në “Allianz Arena”, në atë që do të jetë përsëritja e finales së edicionit të fundit të Champions League.

Këtë herë, në lojë nuk do të jetë titulli, por mundësia e vazhdimit të ëndërrimit të tij. Bavarezët duken favoritë, pasi fituan 1-0 në ndeshjen e parë në Milano, por kampionët e Europës në fuqi vazhdojnë të besojnë tek mundësia e përmbysjes.

”Për të fituar kemi nevojë të shënojmë. Kjo është një sfidë me 180 minuta. Humbën 90 minutat e para, por jemi të sigurt që mund të fitojmë 90 të dytat”, deklaroi mesfushori Wesley Sneijder ditën e hënë.

Trajneri Leonardo gjithashtu u tregua optimist, ndërsa ritheksoi se vazhdon të besojë mbi mundësinë që skuadra e drejtuar prej tij mund të përsërisë tripletën historike të një viti më parë.

Nga ana e tyre, edhe bavarezët janë të sigurt mbi mundësinë e arritjes në çerekfinale. Trajneri Van Gaal deklaroi në konferencën e fundit për shtyp se beson se mund t’i dhurojë titullin europian skuadrës, përpara se të largohet në verë.

Të hënën, mesfushori Schweinsteiger theksoi se ndërsa skuadra nuk e nënvlerësonte Interin, Bayerni ndihet superior ndaj kundërshtarëve.

Përsa i përket Leonardos, lajmi i mirë për të është rikthimi i Lucios, i rikuperuar, ndërsa në stol do të jetë edhe Diego Milito, “xhelati” i gjermanëve në finalen e Madridit, me dy golat e shënuar.

Formacionet e mundshme

Bayern M. (4-5-1): Kraft; Pranjic, Luis Gustavo, Van Buyten, Lahm; Schweinsteiger, Kroos, Ribery, Muller, Robben; Gomez. Tr. Van Gaal

Inter (4-4-2): Cesar; Maicon, Lucio, Ranocchia, Chivu; Cambiasso, Zanetti, Stankovic, Sneijder; Pandev, Eto’o. Tr. Leonardo

Top Channel