Schweinsteiger: Kandidatë për Champions

14/03/2011 17:55

Kujtimi i finales së humbur një sezon më parë në Champions League është motivimi më i madh për të gjithë futbollistët e Bayern Munchen, deklaroi Bastian Schweinsteiger, në prag të përballjes me interistët.

Gjermanët fituan minimalisht në transfertë dhe u mjafton të mos humbin në Mynih, për të siguruar vendin midis tetë skuadrave më të mira të kontinentit.

”Të gjithë e pritëm me gëzim të madh shortin, kur mësuam se kundërshtari ynë do të ishte Interi”, thotë Shweinsteiger në faqen zyrtare të UEFA-s. “Ishte rasti më i mirë për t’u hakmarrë për finalen e humbur një vit më parë”.

”Në finalen e Madridit, ata ishin më të fortë se ne në planin taktik, por në ndeshjen e tre javëve më parë, ndodhi e kundërta. Duke qenë se duhet të luanin në shtëpi ndeshjen e parë, u detyruan të sulmonin dhe kjo bëri që të krijonin hapësira pas”.

Sipas mesfushorit të kombëtares gjermane, shorti mund t’i rezervonte ekipe më të forta bavarezëve, por Interi nuk është një kundërshtar që mund të nënvlerësohet.

”Ata janë kampionët në fuqi dhe nuk ka një rrezik nënvlerësimi, pavarësisht fitores në shtëpinë e tyre. Në këtë sezon, Champions League është shansi ynë i fundit për të fituar diçka, prandaj të gjithë jemi të përqendruar veçanërisht.

Jemi të bindur që në sfidën e dyfishtë, mund të tregojmë se kemi një skuadër më të mirë se ata, pavarësisht se Interi ka në radhët e saj dy kampionë të mëdhenj si Eto’o dhe Sneijder”.

Sipas Schëeinsteiger-it, skuadra më e suksesshme në historinë e futbollit gjerman I ka mundësitë të mbërrijë deri në finalen e Londrës. “Fitorja varet edhe nga shorti, por më parë duhet të fitojmë ndaj Interit.

Për të mbërritur në finale duhet gjithmonë pak fat. Një vit më parë, ishim duke humbur 3-0 në fushën e Manchesterit, përpara se të shënonim dy gola dhe të kualifikoheshim. Megjithatë, është e qartë që kemi cilësinë për të mbërritur deri në fund dhe për të fituar titullin”.

Top Channel