Alonso: Melburni do të tregojë ku jemi

12/03/2011 13:25

Piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, nuk i kushtoi shumë rëndësi paraqitjes së tij të mirë në provat parasezonale, ndërsa theksoi se do të jetë gara e parë e sezonit në Melburn ajo që do të tregojë me të vërtetë arritjet e bëra.

”Edhe një herë më shumë, makina në këto prova ka dëshmuar se është shumë e besueshme dhe ky është një lajm gjithmonë i mirë. Drejtimi i makinës është bërë më i lehtë falë modifikimeve të bëra”, deklaroi dy herë kampioni i botës.

”Megjithatë, të vërtetën do t’a zbulojmë vetëm në Melburn. Gomat e përdorura, niveli i karburantit, programet e testimeve… ka shumë koncepte në lojë, të cilët mund të bëjnë një diferencë të madhe në një garë të vërtetë.

Mbetet edhe elementi tjetër, që ne mund të masin paraqitjet e makinës sonë, por nuk jemi në gjendje të dimë përparimet e të tjerëve, prandaj gara e parë e sezonit do të tregojë se ku jemi në krahasim me rivalët”.

Alonso mbylli deklaratën e tij duke thënë se nuk mund të përqendrohej tek Formula 1, në një ditë kur një tragjedi si ajo e Japonisë kishte ndodhur, ndërsa I shprehu ngushëllimet e tij të gjitha familjeve të viktimave.

Top Channel