NBA, Wade e James “tallen” me Bryant

11/03/2011 14:05

Miami Heats mposhti 94-88 rivalët për titull të Los Anxhelos Lakers, në një ndeshje të zhvilluar mbrëmë në Majemi.

Me këtë rezultat, vendasit ndërprenë një seri negative prej pesë humbjesh radhazi, ndërsa dhanë një sinjal të rëndësishëm përballë një rivali që vinte pas tetë fitoresh në fazën e rregullt të sezonit.

Kobe Bryant realizoi dy trepikësha të njëpasnjëshëm dhe barazoi rezultatin në 88-88, dy minuta e 26 sekonda nga fundi, por disa pikë nga Wade e LeBron i dhanë Majemit fitoren përfundimtare me gjashtë pikë diferencë.

Kjo ishte ndeshja më e shumëpritur e sezonit për tifozët e Majemit, të cilët mbushën stadiumin prej 20 mijë vendesh, ndonëse biletat shiteshin tre herë më shumë se vlera e tyre normale.

Në Dallas, vendasit mposhtën miqtë njujorkezë 127-109, ndërsa Denver Nuggets arriti një fitore me vlera në Feniks, 116-97 ndaj Sansave.

Top Channel