Wenger, fjalë të rënda ndaj UEFA-s

10/03/2011 18:35

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, sulmoi UEFA-n, pasi ajo lajmëroi nisjen e një hetimi disiplinor për sjelljen e tij jokorrekte ndaj arbitrit në ndeshjen e Barcelonës.

Wenger u shpreh i irrituar nga vendimi i gjyqtarit zviceran, Massimo Busacca, për të përjashtuar nga loja Robin van Persie, pasi ai goditi topin pas vërshëllimës së gjyqtarit.

Sulmuesi holandez pretendoi se uturima e 95 mijë spektatorëve e kishte penguar që të dëgjonte bilbilin, por për Busacca-n kjo nuk kishte rëndësi.

”Do të ishte diçka e mirë për UEFA-n që të ulet, të kërkojë falje dhe të mos akuzojë kot njerëz që nuk kanë bërë absolutisht asgjë”, deklaroi Wenger në një konferencë për shtyp.

”Unë i mohoj tërësisht të gjitha akuzat. Ne u eliminuam nga Champions League, sapo humbëm një prej objektivave tanë kryesorë dhe kjo edhe falë një gjykimi absolutisht jo normal, por u dashka që t’i kërkojmë falje UEFA-s?

Në një ndeshje futbolli të kësaj rëndësie nuk mund të marrësh vendime të tilla dhe më vonë të tregosh një arrogancë si kjo.

Të gjithë mund të kuptojmë se nëse pengohemi që të kritikojmë ato vendime që janë të gabuara, atëherë kemi të bëjmë me një diktaturë dhe jo më me një sens dialogu”.

Arsenali u eliminua nga Champions League pas humbjes 3-1 në fushën e Barcelonës, e cila kaloi katalanasit në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 4-3.

Top Channel