UEFA, hetim ndaj Wenger e Nasri

09/03/2011 20:00

UEFA ka vendosur të hetojë trajnerin e Arsenalit, Arsene Wenger dhe mesfushorin Samir Nasri, për deklaratat e tyre të ashpra në drejtim të gjyqtarit Massimo Busacca.

Të dy sulmuan zviceranin për cilësinë e tij të gjykimit, ndërsa Wenger u shpreh “i tërbuar” nga mënyra se si arbitri “vrau ndeshjen”, duke përjashtuar në mënyrë absurde Robin van Persie.

Sulmuesi holandez u ndëshkua me një karton të dytë të verdhë pasi gjuajti drejt portës, pas vërshëllimës së Busacca-s. Lojtari protestoi në fushë duke thënë se ishte e pamundur të dëgjonte vërshëllimën, midis uturimës së ardhur nga 95 mijë spektatorë në “Camp Nou”.

Busacca akordoi një penallti të qartë kundër Arsenalit, duke i dhënë mundësinë Messi-t që të shënonte golin e tretë dhe atë që i dha kualifikimin katalanasve.

Ndonëse Wenger theksoi se edhe disa zyrtarë të UEFA-s kishin mbetur të befasuar nga vendimi i gjyqtarit, një komision disiplinor do të mblidhet ndaj tij në 17 mars.

Top Channel