Vettel kritikon modifikimet në F1

08/03/2011 17:15

Kampioni i botës në fuqi në Formulën 1, Sebastian Vettel, deklaroi se sistemi Kers dhe modifikimet e reja që kanë shtuar komandat në timonin e makinave, e kanë bërë drejtimin e një makine të F1 të ngjashëm me komunikimin në celular në autostradë.

”Me të gjithë ato komanda në timon, ndonjëherë është njësoj sikur të drejtosh makinën tënde në autostradë me shpejtësi të madhe”, tha gjermani në një intervistë për të përditshmen italiane “La Gazzetta dello Sport”.

Në intervistën e tij, Vettel veçonte faktin që Fernando Alonso nuk e përgëzoi për suksesin e arritur në Botërorin e vitit të shkuar dhe as e takoi në momentin e dorëzimit të çmimeve, por shtoi se marrëdhëniet me spanjollin janë të mira dhe se e kuptonte këtë veprim pas zhgënjimit që ai pësoi, duke humbur titullin në garën e fundit.

Ndërsa e përditshmja sportive linte të kuptohej për një të ardhme të sigurt të Vettel me “kokëkuqen” pas përfundimit të kontratës në fundin e sezonit që do të nisë në 29 mars, 23-vjeçari i kushtoi disa fjalë Kubicës, i cili ndodhet në një spital duke u rikuperuar nga plagët e rënda që pësoi në një garë reli.

”E kuptoj përse ai garoi me një makinë reli përpara fillimit të Botërorit të Formulës 1. Për pilotët, shpejtësia është një lloj varësie. Relit janë gjithmonë argëtues. Mund të jenë pak të frikshëm, por jo për një pilot, pas një pilot nuk mund të jetë frikë nga shpejtësia”, përfundoi Vettel.

Top Channel