
Të paktën 18 persona janë vrarë në një shkëmbim zjarri mes grupeve rivale në veri-lindje të Meksikës.
Autoritetet qeveritare të shtetit të Tamaulipas kanë deklaruar se luftimet janë zhvilluar në qytetin e Abasolos, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.
Thuhet se grupet e personave të armatosur kishin hipur në kamionë dhe kanë shkëmbyer zjarr me njëri-tjetrin në rrugët e qytetit.
Tamaulipas ka qenë në qendër të një lufte të ashpër mes kartelit të Gjirit dhe atij Los Zetas për kontrollin e trafikut të drogës.
Mediat meksikane raportojnë se qyteti i Abasolos vuan prej muajsh nga mungesa e drejtuesve të policisë.
Shkëmbimi i zjarrit u paralajmërua më parë në Twitter, ku persona të ndryshëm paralajmëronin qytetarët që të qendronin në shtëpi.
Top Channel