Mafia, operacion në tre kontinente

08/03/2011 12:55

Një operacion masiv kundër organizatës mafioze kalabreze Ndrangheta është zhvilluar në Itali dhe katër shtete të tjera, në tre kontinente të ndryshme.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave në pranga kanë përfunduar 41 persona, 28 prej të cilëve në Itali, 6 në Gjermani, 5 në Kanada dhe 2 në Australi.

Ndërkohë që në Zvicër, sipas burimeve, autoritetet lokale me kërkesë të antimafias italiane kanë bllokuar një seri aktivitetesh kriminale.

Operacioni i koduar me emrin “Krimi 2” ka shpërbërë një rrjet kriminal me një hierarki të rreptë që ishte instaluar në vendet e mësipërme dhe që vepronte në bazë të urdhërave që lëshoheshin nga bosët në Rajonin e Kalabrisë.

Jashtë italisë, aktivitetet kryheshin nga emigrantë kalabrezë që kishin emigruar prej kohësh dhe me ta bashkëpunonte edhe kryetari i bashkisë së një qyteti australian.

Burimet shtojnë më tej se të arrestuarit akuzohen për një seri veprash të rënda penale, si aktivitete të tipit mafioz, sulm ndaj personit dhe pasurive, zhvatje, shantazhe, trafik droge, armëmbajtje dhe pastrim parash.

Përgatiti: Genc Frashëri

Top Channel