
Forcat besnike të liderit libik Muammar Gaddafi kanë kryer një seri sulmesh të reja ajrore ndaj rebelëve që kontrollojnë portin kyc të vendit, Ras Lanuf.
Avionë luftarakë kanë lëshuar raketa në zonat e banuara dhe pranë pozicioneve të rebelëve në shkretëtirë, kanë deklaruar dëshmitarët.
Për momentin nuk ka të dhëna për viktima, por një zëdhënës i rebelëve ka deklaruar se një përfaqësues i kolonel Gaddafi-t ka ofruar mundësi për bisedime.
Zëdhënësi ka saktësuar se nga ana e tyre, rebelët e kanë refuzuar ofertën e liderit, i cili nuk duket se ka në plan të tërhiqet.
Ndërkohë, një anëtar i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, i përbërë nga rebelët, ka deklaruar për BBC se: “Të tërhiqesh është një gjë, por të mos gjykohesh në një datë të më vonshme është e papranueshme”.
Nga qeveria e kolonelit nuk ka pasur një reagim ndaj deklaratës së rebelëve, por lideri libik më herët ka refuzuar të heqë dorë nga pushteti. Ai argumenton se nuk ka një pozicion zyrtar dhe se për rrjedhojë e ka të pamundur të dorëhiqet.
Top Channel