Libi, luftime të ashpra në dy qytete

08/03/2011 18:20

Forcat qeveritare në Libi vazhdojnë të godasin me artileri, avionë dhe tanqe pozicionet e rebelëve, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Sipas BBC-së, sulmi për të marrë qytetet e Zavijës dhe Ras Lanufit është duke vazhduar që prej mëngjesit, ndërsa luftimet në rrethinat e këtyre dy bastioneve të rebelëve vazhdojnë prej të paktën tre ditësh.

Sipas dëshmitarëve, zjarre të mëdha janë ngritur nga qyteti i Zavijës, ku forcat opozitare mbrohen në banesat brenda qytetit. Me qindra janë të vdekurit, ndërsa pjesë të tëra të qytetit janë shkatërruar tërësisht.

Besohet se midis viktimave janë edhe shumë banorë të thjeshtë të Zavijës. “Të vdekurit janë me qindra, Zavija po rrafshohet me tokën”, deklaroi një burim për BBC-në.

Një situatë e njëjtë paraqitet edhe në qytetin port të Ras Lanufit. Të pajisura me armë të lehta, shpresa e vetme kundër tanqeve dhe avionëve për forcat opozitare është një luftë urbane dhe pozicionet e tyre janë vendosur gjithmonë pranë zonave të banuara.

Zavija dhe Ras Lanufi janë dy qytete me peshë të rëndësishme strategjike, pasi ato ndodhen jashtë perimetrit lindor të kontrolluar prej rebelëve dhe janë pranë kryeqytetit Tripoli.

Sulmet e ushtrisë së Gaddafi-t ndaj zonave të banuara po bëjnë që komuniteti ndërkombëtar të marrë gjithmonë e më shumë parasysh mundësinë e deklarimit të një “no-fly zone”, të një bllokade ajrore, mbi territorin libian.

Top Channel