
Një 30-vjecar është arrestuar në Glasgou lidhur me një atentat vetëvrasës të ndodhur vitin e kaluar në Suedi.
Policia britanike ka ndaluar të huajin nën akuzën e “aktit terrorist” gjatë një operacioni të drejtuar nga shërbimet sekrete në qytezën Uajtinc.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në dhjetor në Stokholm, ku nga dy shpërthime të ndryshme mbetën të plagosur dy persona.
Pas atentateve një person u gjet i vdekur me një mjet shpërthyes në dorë. Ai ishte një 28-vjecar iraken, Taimour Abdulwahab al-Abdaly dhe jetonte prej kohësh në Luton.
Më herët, raportojnë mediat britanike, ai kishte ndjekur studimet në Universitetin e Bedfordshajërit.
Sulmi dyshohet se ka qenë atentati i parë vetëvrasës në historinë e Suedisë. Detektivët britanikë dhe suedezë kanë hetuar nëse Abdulwahab mbështetej nga persona të tjerë apo ishte i vetëm.
Nga hetimet ka rezultuar se atentatet ishin mirëorganizuar dhe se 28-vjecari ishte ndihmuar nga disa bashkëpunëtorë. Personi i arrestuar në Glasgou ka qenë një prej tyre.
Top Channel