Partizani në “buzën e greminës”

07/03/2011 20:35

Partizani, një prej klubeve legjendë të historisë së futbollit shqiptar, rrezikon të shpërbëhet përfundimisht.

Gjatë periudhës së regjimit komunist, sakësisht në vitin 1946, u krijua për herë të parë klubi i futbollit Partizani, skuadër që sipas skemës së asaj kohe, i përkiste Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndër vite, me fanellën e kuqe të kryeqytetasve kanë luajtur emrat më të mëdhej të futbollit shqiptar si Refik Resmja, Panajot Pano e Loro Boriçi.

Emra të tjerë më të rinj, por jo për këtë më pak të famshëm janë Ylli Shehu, Sulejman Starova, Sokol Kushta, Igli Tare, Erjon Bogdani apo Perlat Musta.

Të gjithë këta dhe të tjerë plotësojnë “vitrinën e artë” të Partizanit, me 15 tituj kampion, 15 Kupa të Shqipërisë, 2 Superkupa dhe një kupë Ballkanike.

Ardhja e demokracisë solli ulje-ngritje të shpejta të këtij emri të madh të futbollit shqiptar.

Në fillimin e viteve 90 ishin donatorët italianë që e sponsorizuan, deri në sezonin 1999-2000, kur Albert Xhani fitoi në atë kohë gjyqin për të marrë klubin Partizani e për ta shndërruar atë në një shoqëri aksionere.

Ishte pikërisht ky sezoni kur për herë të parë kjo skuadër regjistroi renditjen më të dobët në histori, vendin e 14, që solli dhe rënien e parë nga Kategoria Superiore.

Investimet e këtij presidenti, me një grup lojtarësh brazilianë, e rikthyen Partizanin një vit më pas në Superligë, por gjatë gjithë kësaj periudhe e deri në vitin 2009, kjo skuadër fitoi vetëm një herë Kupën e Shqipërisë në vitin 2004 e u rendit në vendin e dytë në sezonin 2008.

Një vit më pas, Partizani ra sërish në Kategorinë e Parë, nga ku rrezikon të rrëzohet në këtë sezon.

Arsyeja e këtij degradimi? Problemet e shumta financiare të presidentit Xhani, ku lojtarët që prej rreth tre vitesh nuk marrin asnjë pagë.

Emri i Partizanit po lakohet gjithnjë e më shumë në gjykatë më shumë se në botën e futbollit.

Nga njëra anë, Albert Xhani vazhdon mosmarrëveshjet me ish-ortakun Paro Laçi, i cili nga ana e tij ka bërë një padi në gjykatë, së cilës, i është shtuar edhe padia e bashkëshortes së Albert Xhanit për parregullsinë e ndarjes së aksioneve.

Një “mish-mash” akuzash, të cilat konkludojnë me atë të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila nëpërmjet një tjetër padije kërkon rikthimin e emrit Partizani dhe stemës së kësaj skuadre për të shpëtuar çtë mundë.

Ndërkohë, kampionati e vitet kalojnë, klubi Partizani tashmë është ish-klubi, pasi toka i është kthyer pronarëve, ndërsa një grup fëmijësh apo lojtarësh të Partizanit vazhdojnë të mbahen nga pasioni i Neptun Bajkos e Hasan Likës, trajner e drejtor vullnetarë të këtij klubi.

Emrat e fundit e të vetëm të mbetur ende të njohur, të një prej skuadrave ikonë të futbollit shqiptar, ekip që mes pemëve të kodrave të liqenit mbijeton këto ditë, por edhe për sa?

Ndoshta edhe për shumë pak, më pas do të na mbetet të themi se dikur kishim edhe ne nje skuadër si një pjesë e vendeve lindore e quajtur Partizan, e brezave na mbetet t’i themi na ishte një herë Partizani.

Top Channel