
Ish-shefi i Interpolit shqiptar, Artan Bajraktari i ka dhënë të drejtë deklaratave të publicistit dhe intelektualit të njohur italian, Roberto Saviano, të dhëna në emisionin Shqip në Top Channel.
Me një ndryshim, atë të mafias, që sipas Bajraktarit nuk është një mafia e mirëfilltë, por më shumë një krim i organizuar i ndarë në disa klane.
Në një intervistë për Top Channel, Bajraktari thotë se mafia italiane vepron lirshëm në vendin tone, duke investuar në biznese si lojërat e fatit apo cimento dhe se rasti i Prudentinos nuk është i vecuar nga kjo skemë. Madje, sipas tij, 30 personat më të kërkuar në Itali, kanë lëvizur dhe lëvizin lirisht dhe të pashqetësuar në tokën shqiptare për vite të tëra.
“Kemi bërë veprime të përbashkëta për llogari të policisë italiane që kishin informaconet e tyre për lëvizjet. Ajo që thotë Saviano është e saktë, për lëvizjen tranzit përmes Shqipërisë dhe të Malit të Zi”, shprehet ish-shefi i Interpol.
Më tej Bajraktari shprehet se bosët e mafias italiane kanë aktivitete kryesisht në drogë e lojrave të fatit dhe nuk e quan rastin e Prudentinos si një rast të vecuar.
“Pastrim parash, shpërndarje droge, ndërtim mbetjet toksike ose e quajtur ndryshe industria e plehrave janë disa nga elementët që këto organizata mafioze kanë në Shqipëri. Rasti i Vlorës dhe i Tiranës, që ata po shtrijnë aktivitetin e tyre tek lojërat e fatit, tregon që ata kanë ekzistuar”, thotë Bajraktari.
Ish-shefi i Interpolit nuk pranon faktin se shqiptarët kanë një mafia të mirëfilltë sic pretendon Saviano. Ai shprehet se ka vetëm grupe kriminale, por ajo që duhet dëgjuar nga publicisti italian, thotë Bajraktari, është ndërgjegjësimi i shoqërisë për rrezikun ndaj mafias.
“Ajo që shoh në mesazhin e Savianos është ndërgjegjësimi që duhet të ketë shoqëria shqiptare për rrezikun e shtrirjes së mafias edhe në Shqipëri, sepse sic e dimë ato janë të përhapura në të gjithë globin”, deklaron Bajraktari.
Bajraktari prek një tjetër temë të nxehtë, atë të luftës ndaj grupeve kriminale kosovare e shqiptare, pasi sipas tij këto grupe bashkëpunojnë në mënyrë perfekte dhe nuk kanë territore të ndara.
“Nuk kanë asnjë luftë mes tyre, sepse janë hapa përpara, nuk kanë protokolle, nuk kanë kufinj, nuk kanë burokraci në kryerjen e akteve kriminale për të nxjerrë përfitimet e tyre. Ndërsa policia duhet të nënshkruajë një marrëveshje bilaterale ose të bëhet pjesë e një konvente dhe më pas të operojë”, tha Bajraktari.
Ish-kreu i Interpol ironizion deklaratat politike se shteti ka zhdukur krimin e organizuar në Shqipëri apo mafian sic edhe pretendon.
“Të thuash që ke luftuar mafian apo korrupsionin se e ke crrënjosur i bie që ta kesh shtypur e të mos ketë asnjë vend ku të ketë depërtuar apo të ketë mbetje të krimit të organizuar. E shoh me syrin pozitiv mesazhin që jep Saviano në atë intervistë sepse duhet të ndërgjegjësohemi si shoqëri”, thotë Bajraktari.
Përsa i përket mbetejeve urbane ka patur disa herë sinjalizime nga Italia se Shqipëria është në rrezik nga përfshirja në këtë aktivitet të mafias italiane duke shfrytëzuar vendin tonë.
Top Channel