Interi shkatërron Xhenoan, ngec Napoli

06/03/2011 17:00

I ka mjaftuar pjesa e dytë skuadrës së Interit për të shkatërruar 5-2 Xhenoan në ndeshjen e vlefshme për javën e 28 të Serisë A të luajtur në Milano.

Miqtë e mbyllën pjesën e parë në avantazh 1-0 falë golit të shënuar nga Palacio në minutën e 40. Me nisjen e pjesës së dytë, Xhenoa ka parë t’i përmbyset avantazhi brenda 2 minutave. Për zikaltërit fillimisht barazoi Pacini në minutën e 50, për të ardhur tek goli i avantazhit shënuar nga Eto vetëm 60 sekonda më vonë, falë edhe pasigurisë së portierit mik.

Kamerunasi gjen sërish rrjetën në minutën e 57 duke shenuar golin e dytë përsonal në këtë sfidë e të tretin për skuadrën e Interit, që nuk mjaftohet me kaq, por shënon sërish me Pandev në minutën e 71 dhe me Nagatomon në minutën e 84. Miqtë shënuan golin e dyte me Bosellin në sekondat e fundit të takimit, duke vulosur shifrat në 5-2 për Interin që mban të pandryshuar edhe këtë javë diferencën me Milanin kryesues që dje fitoi ndaj Juventusit në Torino, 0-1.

Ndërkohë, Napoli humb sërish terren në tabelën e klasifikimit, pasi këtë javë në ndeshjen e luajtur në fushën e vet, nuk ka shkuar me shumë se një barazim pa gola me Breshian. Po 0-0 u mbyll edhe Kievo-Parma, ndërsa Bolonja e Kaljari ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2. Në ndeshjen e luajtur më herët, Sampdoria u mund brenda në shtëpinë e saj me rezultatin 3-2 nga Cezena. Fiorentina shkatërroi pastër 3-0 Katanian ndërsa Udinezes i mjaftoi një gol për të marrë 3 pikëshin e radhës ndaj Barit.

Renditja mbahet nga Milani me 61 pikë, ndjekur prej Interit me 56, Napolit 53, Udineze 50 dhe Lacio që në mbrëmje luan ndaj Palermos, 48 pikë.

Top Channel