“Poker” blu ndaj Shkumbinit

06/03/2011 18:55

Pas 35 ditë barazimesh, humbjesh, prapaskenash dhe dyshimesh për trukim rezultatesh Dinamo është rikthyer te fitorja në Superligë.

Këtë blutë e kanë bërë bindshëm 4-1 ndaj Shkumbinit, ekipi që e eleminuan 4 ditë më parë edhe nga Kupa e Shqipërisë.

Goli i Vilës në minutën e 4 dha sinjalin se kryeqytetasit e kishin fituar ndeshjen ende pa filluar në mendjet e tyre. Opoku finalizoi me gol një aksion të nisur nga Allmuca, ndërkohë që ky i fundit vulosi rezultatin e pjesës së parë 3-0 për Dinamon.

Peqinasit u treguan të pafuqishëm të reagonin dhe të përmbysin rezultatin e 45 minutave të para. Pokeri blu u plotësua në të 57-n nga Vila, goli i dytë personal i tij në këtë sfidë. Goli i nderit për peqinasit u shënua në minutat shtesë nga Belçev.

Kjo fitore mban dinamon në vendin e 6 me 33 pikë, ndërsa Shkumbini një vend më poshtë me 29 pikë. Vllaznisë i kanë mjaftuar 45 minuta për të mundur 2-0 Besën në Loro Borici. Golat për shkodranët, të cilët tashmë ngjiten në kuotën e 42 pikëve, u shënuan nga Shtubina në minutën e 2 dhe Sukaj në të 31.

Laci ka marrë një 3 pikësh këtë herë pas fitores 3-1 me Kastriotin. Golat për vendasit u shënuan nga Selimi, Dragiçeviç dhe Hysa ndërsa goli i vetëm për krutanët u shënua nga kroati Piskor.

Java e 23-të e Superligës mbyllet të hënën me takimet Skënderbeu-Bylis dhe Tirana-Teuta.

Top Channel