Gjobë 5 mln lekë kush nuk përdor kasën

05/03/2011 08:10

Ministria e Financave rrit dozën e sanksioneve ndaj subjekteve që kanë vënë kasa, por që nuk i përdorin.

Duket se faza e parë e pajisjeve fiskale, instalimi, është drejt fundit, dhe tashmë qeveria po përgatitet për fazën e dytë: kuponët.

Pas vendosjes së kasave te mbi 70 për qind e bizneseve, sfida e radhës për administratën tatimore është përdorimi i pajisjeve, që do të thotë lëshimi i kuponëve tatimorë.

Për të ndërgjegjësuar biznesin që të përdorin kasat, Ministria e Financave ka propozuar në qeveri një seri masash drastike gjobash që shkojnë deri në 500 mijë lekë.

Propozimet prekin nenin 122 të ligjit “Për procedurat tatimore”, ku flitet për nivelin e ri të gjobave lidhur me përdorimin e kasave fiskale dhe lëshimin e kuponëve.

Gazeta “Shqip” zbulon detaje të draftit, i cili mund të ketë kaluar në qeveri, por nuk konfirmohet zyrtarisht nga zyra e Kryeministrit.

Sipas variantit të ri, për subjektet me TVSH që nuk lëshojnë kuponë tatimorë për qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, për çdo rast konstatimi, ndëshkimi është 200,000 lekë për rastin e parë dhe 500 mijë lekë (5 milionë lekë të vjetra) për rastin e dytë që kapet nga tatimori.

Nëse konstatohet për herë të tretë se nuk e përdor kasën, atëherë subjektit i pezullohet aktiviteti për një periudhë 6-mujore. Gjoba të forta do të merren edhe ndaj biznesit të vogël, i cili kapet se nuk e ka përdorur kasën.

Në rastin e parë subjekti do të gjobitet me 100 mijë lekë, kurse në rastin e dytë ndëshkimi bëhet 300 mijë lekë, deri në mbyllje të aktiviteti për 6 muaj nëse e përsërit.

Në ligjin aktual, masa e ndëshkimit nis nga 20 mijë lekë dhe arrin deri në 100 mijë lekë, për rastin e parë që biznesi kapet duke mos lëshuar kupon tatimor, i cili printohet nga kasa fiskale. Tashmë gjoba vendoset që me rastin e parë 200 mijë lekë, ndëshkim ky tepër i lartë.

Sanksionet e vendosura nga Ministria e Financave janë hartuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave, dhe synojnë ndërgjegjësimin e biznesit që pajisjen e blerë ta përdorë.

Top Channel