Allegri: Kujdes nga “bisha e plagosur”

05/03/2011 12:40

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, nuk beson se do të gjejë në fushë një Juventus në krizë, pavarësisht se bardhezinjtë vijnë nga dy humbje, me Lecce dhe Bologna.

”Jemi 11 ndeshje nga fundi i sezonit dhe çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, por kjo me Juven është një sfidë kyçe, pasi ne duam t’i afrohemi titullit, ndërsa ata të afrohen me zonën Champions”, thotë trajneri i kryesyesve të Serisë A.

”Do të përballemi me një skuadër shumë të fortë fizikisht, me karakter dhe që është shumë e rrezikshme në goditjet standarte. Juventusin në këtë moment do t’a klasifikoja me një “bishë të plagosur”, prandaj duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm.

Kam të qartë që Juventusi do të jetë shumë luftarak në fushë dhe aspak i dorëzuar. Duhet të jemi në lartësinë e duhur, por kam besim se do të jemi, pasi skuadra është në formë të mirë dhe udhëtojmë në Torino për të arritur fitoren”.

Me Benitezin që u largua në dhjetor, Ranierin në shkurt dhe Del Nerin pranë shkarkimit, Allegri është i vetmi midis pretendenteve për titull që nuk është diskutuar asnjëherë në këtë sezon.

”Fati im i madh është që klubi bëri një fushatë të shkëlqyer blerjesh, ndërsa kampionët e mëdhenj brenda skuadrës ishin të gjithë të etur për sukses”, komentoi livornezi, që rezervoi një batutë finale edhe për Champions League.

”Mendoj se kemi shanse të mira për të fituar të mërkurën me Tottenham-in, por do të mendojmë për këtë vetëm pasi të kemi mbyllur ndeshjen me Juven”.

Top Channel