Një ditë më parë Parlamenti miratoi një ligj që e transferon monopolin e prodhimit të pullave fiskale nga qeveria tek një kompani private nga Zvicra.
Sipas marrëveshjes konçesionare, kompania zviceriane Sicpa International, do të ketë të drejtën ekskluzive të shtypë dhe shpërndajë pullat fiskale në Shqipëri për birrën, verën, duhanin dhe ilaçet për dhjetë vitet e ardhshme.
Por cilat janë kushtet e kontratës që ditët e fundit ka shkaktuar një debat të madh, jo vetëm në Parlament, por edhe në ambientet e biznesit.
Sipas konçesionit, kompania do i paguajë qeverisë shqiptare një shumë totale prej 2 milionë eurosh për dhjetë vite.
Në këmbim ajo do të fitojë respektivisht 20 euro për çdo 1 mijë pulla cigare, 32 euro për 1 mijë pulla akcize të verës dhe alkoleve të tjera dhe 22 euro për 1 mijë pulla birre.
Shqipëria nuk është vendi i parë ku “Sicpa International”, kompania zviceriane, merr me konçesion, prodhimin e pullave të akcizës.
Të njëtën kontratë ajo e ka fituar në shtetin amerikan të Kalifornisë, por edhe në Filipine dhe Turqi, edhe pse me çmime dukshëm më të ulëta se Shqipëria.
Nëse në vendin tonë në për cigaret kompania do marrë 20 euro për çdo 1 mijë pulla në Kaliforni, qeveria amerikane i paguan asaj 4.7 dollarë për të njëtin shërbim ose 5 herë më pak.
Ndërsa konsumatorët filipinas paguajnë për të njëtin shërbim një çmim prej 7 dollarësh, rreth 4 herë më pak se shqiptarët.
Argumenti me të cilin qeveria justifikon çmimet e larta është ai i kostove që vijnë për shkak të tregut të vogël.
Edhe pse përllogaritjet tregojnë se ky treg do i mundësojë kompanisë zviceriane të arkëtojë për 10 vitet e ardhshme 150 deri në 200 milionë euro.
Në të njëjtën kohë mbetet për t’u parë se sa efekt do të ketë dhënia e pullave me konçesion në luftën ndaj evazionit dhe kontrabandës, sepse në relacionin që shoqëron ligjin nuk ka asnjë shifër se sa të ardhura shtesë do sjellë në buxhet, shtypja e pullave nga private edhe pse në saj të pullës pretendohet se gjurmohet ecuria e produktit ne treg.
Top Channel