
Liberalizimi i tregtisë së armëve në vendin tonë po sjell efekte të konsiderueshme në zhvillimin e sektorit më të ri.
Pas MEICO-s, ndërmarrja shtetërore e import-eksport të armëve dhe
municioneve, e cila për vite me radhë kishte monopolin e aktivitetit,
tashmë Ministria e Mbrojtjes ka licencuar disa shoqëri private në
fushën e armatimeve, që në total janë rreth 6 subjekte.
Në raportin e fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave mbi situatën e tregtisë me jashtë për vitin 2010, jepen të detajuara të dhënat mbi nivelin e eksporteve dhe importeve për armët dhe municionet e tyre.
Nga të dhënat duket qartë se ka ‘bum’ eksportesh të armatimeve drejt vendeve të ndryshme, në vlerë dhe sasi, por nuk jepet vendi se ku shkon “malli”.
Vetëm për vitin e kaluar, Shqipëria ka mundur të shesë 10 herë më shumë armë, të shprehur në vlerë, kurse në sasi diferenca është akoma edhe më e lartë.
“Deri në fund të muajit dhjetor 2010 janë regjistruar në total rreth 3.7 milionë dollarë eksporte, ose 10 herë më shumë se në vitin 2009, kurse në sasi janë rreth 1 mijë e 600 ton, ose mbi 20 herë më shumë”, – raporton dogana.
Ecuria e tregtisë së armëve në vendin tonë ka qenë me luhatje të shpeshta, ndikuar nga zhvillimet e ndryshme, siç ishte rasti i shpërthimit të fabrikës së municioneve në Gërdec, në mars të vitit 2008.
Pas kësaj ngjarjeje, MEICO i pezulloi të gjitha aktivitetet, situatë që vijoi e qetë deri në fund të vitit elektoral 2009.
Riaktivizimi i ndërmarrjes ushtarake erdhi në 2010-n, e cila me ndryshime strukturore i hapi rrugë kthimit të aktivitetit.
Pezullimi gati 2-vjeçar bëri të mundur që shteti të ndizte “motorët” e tregtisë së armëve në nivele të konsiderueshme, aq sa statistikat krahasuese janë me herë dhe jo me përqindje.
Top Channel