Alonso: Dua të më kujtojnë pasi të tërhiqem

04/03/2011 11:20

Ekzaktësisht dhjetë vjet më parë, në 4 mars 2001, Fernando Alonso debutoi në Formulën 1, në Çmimin e Madh të Australisë.

Pavarësisht se atëherë ai drejtonte makinën më të ngadaltë në pistë, një Minardi, spanjolli befasoi me arritjen e vendit të 12, midis 22 pilotëve pjesëmarrës.

”Kur debutova, nuk i njihja shumë mirë pilotët. Megjithatë, Formula 1 për mua atëherë ishte e gjithë jeta. Me kalimin e kohës, kupton se është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës, por ka edhe gjëra të tjera të rëndësishme”, deklaroi dy herë kampioni i botës për revistën “Marca”.

Dhjetë vjet më pas, Alonso drejton një Ferrari, ka fituar dy herë titullin botëror dhe konsiderohet gjerësisht si piloti më i mirë në botën e Formulës 1. Duke mbetur tek kujtimet, ai shtoi:

”Tek McLaren-i ndihesha i lënë jashtë skuadrës. Nuk ndanin me mua pothuajse asgjë nga ato që bënin. Tek Ferrari, argëtohem duke drejtuar makinën më shumë se kurrë ndonjëherë më parë”.

Ndonëse mund të konsiderohet si një pilot që ka realizuar të gjithë ëndrrat, nga drejtimi i Ferrarit tek titulli kampion, spanjollit i mbeten ende disa ëndrra të rëndësishme për të përmbushur.

“Objektivi im është që të vazhdoj të mbahem mend edhe shumë kohë pasi të tërhiqem. Kam edhe një ëndërr të madhe, shpresoj që ndonjë ditë të realizojnë ndonjë film rreth jetës sime”.

Top Channel