Si mund të bëhesh grek brenda ditës

03/03/2011 19:25

Një kriter matës për vende të ndryshme të botës është dëndësia e popullsisë, por në rastin e Shqipërisë, duket se kriteri duhet të jetë dëndësia e problemeve.

Një skandal i ri dhe i vjetër u hap me debatet rreth regjistrimit të popullsisë me bazë etnike dhe fetare. Korça është një nga disa pikat nevralgjike, ku ky fenomen ka gjetur shtratin e vet të zhvillimit.

Hije të “Megaliideas” duket se u rindriçuan pas deklaratave të ish konsullit Ikonomu në këtë qytet dhe i vetmi qe replikoi ishte Kryetari i Bashkisë, z.Niko Peleshi.

”Unë replikova menjëherë kundër atyre deklaratave që u bënë, ndërsa ishte e qartë që personi që foli nuk kishte kuptuar diçka thelbësore, që të gjithë korçarët në atë sallë ishin atje për shkak të dashurisë për vendin”, thotë Peleshi, në intervistën e transmetuar gjatë emisionit të pasdites në Top Channel.

Prej javësh Shqiperia zien, ndërsa frika dhe varfëria përzihen, e vërteta shtrembërohet dhe situata e krijuar duket se nuk do të shkojë shpejt drejt zgjidhjes së qetë.

Nevoja për lëvizje, punësim në Greqi, ndonjë pension për pleqtë e harruar nag qeveria, duket se janë të mjaftueshme për kryetarin e Omonias në Korçë për të përhapur të dhëna abuzive.

”Mendoj se qeveria, politika dhe parlamentarët duhet të jenë më të përgjegjshëm, në raport jo me shtetet, por me forca të tjera në Ballkan që shprehin qëndrime nacionaliste për shkak të qëndrimit të tyre me konjukturën”, shton Peleshi.

Zoti Naum Disho është një njohje e vjetër për publikun, i gjykuar për çëshjten po aq famëkeqe të varrezave të Boboshticës, ngjarje sensacionale që krijoi trazira në opinionin publik të të gjithë vendit.

”Unë jam nip boboshtar dhe ajo që ndodhi në Boboshticë u bë me mirëkuptimin e të gjithëve”, thotë Disho. “Nuk duhet ngatërruar çështja e kombësisë me atë të pensioneve.

Nuk jam i informuar nëse pasja e një pasaporte greke të lejon automatikisht përfitimin e një pensioni. Çështja u zmadhua, ashtu siç po zmadhohet sot historia e kombësisë”.

Shumë shqiptarë janë konvertuar në omogjen, me nënshtetësi greke apo dhe me kombësi, por çeshtja thelbësore është se si mund të bëhesh grek në Shqipëri.

Vasili, pseudonim për dëshmitarin tonë, tregon rastin e tij dhe të shume të tjerëve, me kushtin e mosnxjerres së fytyrës në ekran.

”Kam dhjetë vjet që e kam marrë titullin e omogjenit, ose më shumë. Që në momentin e parë që hyn në Greqi, pajisesh menjëherë me këtë titull”, rrëfen Vasili.

”Mjafton të paraqitesh në konsullatat greke në Shqipëri, të marrësh një vizë 100 ditëshe dhe me të mbërritur andej fiton statusin. Kaq mjafton që të bëhesh me karta greke. Menjëherë pasi merr vizën 100 ditëshe, automatikisht je i regjistruar si grek”.

Lehtësinë me të cilën mund të arrihet shtrembërimi e denoncon edhe Kryebashkiaku i Korçës. “Pavarësisht se është një debat për të drejtat dhe liritë e njeriut, ai bëhet në kontekstin e disniveleve të mëdha ekonomike të dy vendeve”, thotë Peleshi.

”Është e pamundur të mos mendosh se për shumë, për të mos thënë shumicën, e qytetarëve të thjeshtë, ajo që i ka shtyrë të pranojnë këto letra greke ka qenë nevoja ekonomike”.

Zoti Peleshi, ka të qartë atë që politika shpesh herë nuk arrin të formulojë. “Ne jemi qytetarë të qytetit të Korçës, jemi patriotë dhe për këtë do të jemi vazhdimisht krenarë. Korça nuk njihet si problemi i shqiptarizmit, por si djep i saj”.

Ashtu si Zoti Peleshi, edhe Naum Disho ka lindur në Shqipëri. “Zhurmat mediatke i zmadhon gjithmonë diçka pa fakt dhe pa shkak”, thotë ai, kur pyetet për faktin se regjistrimi i popullisë rrezikon të nxjerrë shumë më tepër grekë nga sa realisht janë.

”Nëpër gjykata dhe nëpër zyrat e gjendjes civile, nuk mund të bëhet asnjë lloj fallsifikimi”, pretendon ai.

Pikërisht falsifikimi është fjala që po shoqëron çdo debat, ndërsa duket se për të ndryshuar trashëgiminë shekullore të gjyshërve, mjaftojnë shumë pak minuta.

”Shqiptarët që kanë ndërruar emrin andej, pothuajse të gjithë kanë marë certifikata fallso, pasi nuk më rezulton që njerëzit të jenë paraqitur tek autoritetet për të bërë konvertimin”, dëshmon Vasili.

”Që të marrësh një cerfitikatë të tillë nuk është nevoja fare që të vish në Shqipëri, pasi mund t’a bësh fare lehtë nga Greqia. Pastaj, me pasaportë greke, këta persona mund të regjistrohen për herë të dytë në Shqipëri, duke rritur artificialisht minoritetin.

Ne të gjithë jemi shqiptarë. Unë di se gjyshi dhe stërgjyshi kanë lindur në Shqipëri, por statusi i omgj-së të lehtëson jetën në Greqi dhe të jep përfitime të tjera. Politika e grekëve është e qartë, ndërsa ata synojnë të arrijnë objektivat e tyre duke shtrembëruar ortodoksinë.

Për grekët, nuk ka rëndësi nëse je minoritar apo ke prejardhje greke, por mjafton që të jesh vetëm ortodoks”. 

Top Channel