Prokuroria: Asnjë afat për personat me imunitet

02/03/2011 13:20

Prokuroria e Përgjithshme, në raportin vjetor për vitin 2010 i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë 6 sugjerime, tre prej të cilave lidhen me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale për çështjen e heqjes së imunitetit.

Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme do të kalojë për diskutim në Komisionin parlamentar të Ligjeve dhe më pas raporti final do të lexohet në sallën e Kuvendit.

Sipas ndryshimit të ligjit të Prokurorisë, raportimi i punës vjetore të Kryeprokurores Ina Rama do të bëhet me debat në Parlament.

Marrëdhëniet me Kuvendin

Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme, një faqe speciale i është kushtuar marrëdhënieve të këtij institucioni me Parlamentin. Në raport citohet se: “Kuvendi ka miratuar pjesërisht kërkesat tona për shtimin e organikës”. Referuar raportit, citohet se marrëdhëniet me Kuvendin e Shqipërisë janë të ndërtuara në linja institucionale dhe korrekte. Prokuroria është thirrur dhe ka shfaqur mendimet e saj në komisionet respektive kur janë diskutuar amendime të ligjeve të cilët janë pjesë e punës së Prokurorisë.

Sugjerimet e Prokurorisë

Institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme ka kërkuar në raportin vjetor 2010 mbështetjen e Kuvendit për 6 çështje. Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të kryejë ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, me qëllim pezullimin e afateve të parashkrimit të ndjekjes penale për personat me imunitet për sa kohë e gëzojnë këtë status.

Kërkesa e dytë e Prokurorisë në adresë të Kuvendit është që të kryejë amendime të nevojshme ligjore me qëllim kufizimin e imuniteteve, për t’i hapur rrugë organit të akuzës që të ushtrojë më me efektivitet ndjekjen penale edhe për këtë kategori personash, veçanërisht në drejtim të veprave penale të korrupsionit dhe krimeve në detyrë.

“Ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme ligjore në Kodin Penal, për të qartësuar dhe plotësuar formulimet e dispozitave për përshkrimin e ndjekjes penale dhe për parashkrimin e ekzekutimit të vendimeve, nenet 66 dhe 68 të Kodit Penal”, është pika e tretë që Prokuroria i sugjeron Kuvendit të kryejë, në funksion të detyrave kushtetuese të organeve të drejtësisë. Ligjet e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese kërkojnë amendime të nevojshme në Kodin Penal për dispozitat penale në ligje të veçanta. Këto kërkesa ndiqen më pas nga çështja e pestë e Prokurorisë drejtuar Kuvendit, e cila kërkon “amendime të nevojshme ligjore, me qëllim dhënien e së drejtës Prokurorit të Përgjithshëm për të vënë në lëvizje kolegjet e bashkuara të Gjykatës së Lartë me synim unifikimin e praktikave gjyqësore, si dhe të drejtën për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për çështje që janë në juridiksionin e kësaj gjykate”.

Kërkesa e fundit e Prokurorisë së Përgjithshme është rritja e fondeve buxhetore dhe plotësimi i numrit të kërkuar të punonjësve, si nevojë e domosdoshme e institucionit për ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe për impenjimin e ndryshimeve që pësoi ligji organik i Prokurorisë.

Marrëdhëniet me SHISH

Në raportin e Prokurorisë citohet se: “Marrëdhëniet me Shërbimin Informativ të Shtetit janë të fokusuara kryesisht në marrjen e informacionit nga ky shërbim në funksion të rritjes së efektivitetit në ndjekjen penale, veçanërisht në kuadër të veprave penale të krimit të organizuar dhe terrorizmit, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit. Informacionet e përcjella nga SHISH-i kanë rezultuar të vlefshme dhe na kanë orientuar drejt në nisjen e procedimeve penale, veçanërisht nga njësitë e përbashkëta hetimore”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA