Barça, Real dhe United ndjekin Hamsik

02/03/2011 18:10

Barcelona dhe Reali i Madridit janë të vendosur të sigurojnë shërbimet e Marek Hamsik-ut për sezonin e ardhshëm, lojtar për të cilin ka shprehur më parë interes edhe Manchester United.

Duke u bazuar në artikullin e botuar gjatë ditës në të përditshmen sportive spanjolle “AS”, sllovaku nuk do të vazhdojë të qëndrojë edhe për shumë kohë tek Napoli.

Mësohet se zbulues të dy klubeve spanjolle ishin të pranishëm në “San Siro”, në fitoren 3-0 të Milanit ndaj rivalëve për titull, por pavarësisht humbjes, raportet për mesfushorin ishin shumë pozitive.

Rritja e Hamsik-ut ka qenë e vazhdueshme në vitet e fundit dhe ai është shndërruar në një prej futbollistëve më të kuotuar në merkato.

Pavarësisht se presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, ka deklaruar disa herë se është i vendosur të mbajë yllin e tij në skuadër, do të jetë e vështirë që ai t’i rezistojë ofertave të tre prej klubeve më të mëdha në botë.

Top Channel