Moratti-Galliani ndezin luftën në distancë

01/03/2011 19:00

Një ditë pas fitores së Milanit në përballjen e kampionatit me Napolin, Massimo Moratti dhe Adriano Galliani rikthejnë betejën për titull në deklaratat e tyre për shtypin italian.

”Nuk mendoj se fitorja e Milanit do të jetë vendimtare për kampionation, por situata po fillon të bëhet gjithmonë e më shumë argëtuese”, deklaroi Moratti, pronari i Interit, gjatë mëngjesit.

”Kampionati po bëhet shumë interesant dhe i bukur për t’u ndjekur. Mendoj se Napoli është ende në luftë për titull, ndërsa ne duhet të mendojmë tani vetëm për të grumbulluar sa më shumë pikë. Nuk e kam menduar ende se për kë do të bëj tifo në ndeshjen Juventus-Milan”.

Nga ana e tij, administratori i deleguar i kuqezinjve, Adriano Galliani, falenderoi skuadrën për paraqitjen e saj, ndërsa theksoi gjithashtu që Napoli është ende në betejën për titull.

”Mbeten edhe 11 ndeshje deri në fundin e kampionatit dhe Napoli është ende në garë, pasi në një hapësirë të tillë, 5-6 pikë janë tërësisht të rikuperueshme. Lojtarët duhen falenderuar për ndeshjes e së hënës, pasi treguan një diferencë të dukshme ndaj Napolit, falë një paraqitje të mrekullueshme të secilit që luajti”.

Galliani komentoi dhe spekulimet për rikthimin e Kaka-së. “Është një mik për ne, por nuk ka asnjë hipotezë për momentin. Pato? Si mund të vihet në diskutim cilësia dhe rëndësia e tij për klubit kur ka një mesatare prej një goli në 90 minuta?”.

Top Channel