Krstiçeviç, thirrje Tiranës për Kupën

01/03/2011 11:20

Katër ndeshje radhazi në kampionat pa regjistruar asnjë fitore, periudhë në të cilën skuadra nuk ka shënuar asnjë gol në 360 minuta, dhe në mes Kupa e Shqipërisë: humbja në ndeshjen e parë çerekfinale me Bylisin është lehtësisht e rikuperueshme.

Megjithatë, kriza e rezultateve që po kalon Tirana rrezikon sezonin aktual, por edhe edicionin e ardhshëm. Paralajmërimi ka ardhur nga trajneri Misho Krstiçeviç, i cili u ka kërkuar lojtarëve të impenjohen maksimalisht në ndeshjen e së mërkurës kundër mallakastriotëve, pasi trofeu i dytë për nga rëndësia mbetet objektivi më i madh për një “biletë” në Kupat e Europës.

“Kupa është shansi ynë i madh për të luajtur në Europë. Jemi në një situatë ku gabimet nuk na lejohen, pasi në të kundërt komprometojmë edhe sezonin e ardhshëm”, – tha drejtuesi i stolit bardheblu. Duke qenë se ka punuar edhe më parë te 24-herë kampionët, si asistent i Blazhe Slishkoviç, tekniku kroat e njeh mjaft mirë mentalitetin e klubit dhe “urinë” për trofe. Ai nënvizoi: “Tirana është një klub i madh në Shqipëri dhe ka fituar më tepër tituj se të gjithë. Ne të gjithë e kemi të qartë se një skuadër e tillë nuk mund t’ia lejojë vetes ta mbyllë sezonin pa trofe. Duke qenë se jemi jashtë garës në kampionat, objektivi kryesor është të fitojmë Kupën”.

Edhe pse janë një ekip që lufton për mbijetesën në elitë, Bylisi ka treguar se nuk dorëzohet lehtë dhe pritet që të luajë të gjitha shanset që ka në Kupë për të qenë mes katër më të mirave të këtij edicioni. Tiranës do t’i mjaftonte edhe fitorja minimale për t’u kualifikuar, falë golit në fushën kundërshtare. Megjithatë, Krstiçeviç ende nuk e ka harruar humbjen e dy javëve më parë me një penallti të kontestuar.

“Gjithçka në rrugën tonë drejt Kupës u ndërlikua nga një penallti idiote që na dhanë kundër në ndeshjen e parë”, – tha tekniku, i cili nuk e fshehu frikën për ndikimin e gjyqtarëve: “Pavarësisht asaj që ndodhi, jemi të sigurt se mund t’ia dalim. Skuadra e ka kualitetin e duhur të vazhdojmë më tej dhe të pretendojë, megjithatë, përveç bindjes në aftësitë tona, jemi edhe të shqetësuar për gjykimin”.

Përpara ndeshjes në Shkodër, te Tirana vështirë se i pranonin problemet në sulm. Mungesat prej dëmtimeve dhe pezullimeve nuk e kishin lejuar trajnerin që të hidhte në fushë të gjithë lojtarët më të mirë në të njëjtin moment. Por, barazimi i katërt radhazi konfirmoi “krizën” e golit. Krstiçeviç nuk dëshiron të ushtrojë presion ndaj repartit ofensiv, por tani më shumë se asnjëherë tjetër kërkon që sulmuesit të bëjnë punën e tyre, duke e dërguar topin në rrjetë dhe t’i japin fitoren skuadrës.

“Shpresoj që këtë herë sulmuesit të bëjnë punën e tyre dhe të shënojnë. Kemi mjaft cilësi në repartin ofensiv, por duhet të gjejmë vazhdimësinë. Jemi në një moment vërtetë delikat dhe na nevojiten golat për t’u kualifikuar në gjysmëfinale”, – përfundoi drejtuesi i stolit bardheblu.

 

Top Channel