
Mbreti belbëzues triumfoi në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve më të mëdha të kinematografisë botërore, ato Oskar.
“The King’s Speech” rrëmbeu katër statueta të arta, atë të filmit më të mirë, regjisë dhe skenarit më të mirë original dhe aktorit më të mirë, një çmim që nderoi interpretimin e paharrueshëm të britanikut Colin Firth.
Në fakt, i armatosur me 12 kandidime, rrëfimi prekës mbi raportin e mbretit të ardhshëm të Britanisë, Xhorxhi VI, me një njeri të thjeshtë i cili e ndihmon të kapërcejë problemin e belbëzimit, ishte i destinuar për lavdinë e kësaj mbrëmjeje të madhe.
Konkurentët e tjerë kanë ndarë mes tyre çmimet e mbetura. Një nga më të lakmuarit, ai i aktores më të mirë, i shkoi Natalie Portmanit, mahnitëse në rolin e Nina Sayers tek “Black Swan”. Statueta shpërblen kështu mundin e jashtëzakonshëm të izraelito-amerikanes për arritjen e një performance të tillë. Portman mori për një vit rresht mësime baleti përpara se të fillonin xhirimet e filmit tepër të kuotuar nga kritika të David Aronofskit.
“The Social Network”, historia e krijimit te FB, rrëmbeu statuetën e skenarit të përshtatur më mirë, si dhe atë të kolonës zanore dhe montazhit më të mirë.
Aktorët më të mirë në rolet dytësore u zgjodhën Melissa Leo dhe Christian Bale, të dy për rolet e tyre në dramën e boksit “The Fighter”.
Shpresat për nderimin e artistëve gjermanë nuk u realizuan në edicionin e 83- të çmimeve Oscar. Kompozitori i njohur Hans Zimmer, i nominuar në kategorinë e muzikës së filmit, si dhe Jakob Schuh dhe Max Lang të nominuar për filmin me metrazh të shkurtër “Der Grüffelo”, nuk morën asnjë çmim.
Filmi danez “Në një botë më të mirë” mori Oskarin e kategorisë “filmi më i mirë i huaj”. Nga filmat e animuar, më i miri u shpall “Toy Story 3”.
Momenti përmbyllës i mbrëmjes, që ishte ndoshta dhe ai më emocionuesi, ngjiti në skenë Celine Dion me “Smiley”, ndërsa në ekran shfaqeshin njëri pas tjetrit personalitetet që ndërruan jetë vitin e kaluar, duke filluar nga Blake Edwards, Tony Curtis e të tjerë.
Top Channel