Gatusso, në Dagestan i ofrojnë 10 mln euro

28/02/2011 21:10

Mesfushori i Milanit, Ivan Gennaro Gattusso, mund të shndërrohet në futbollistin më të paguar në historinë e futbollit rus, pasi klubi dagestanas i Anzhi Makhachlaka-s i ofron dhjetë milion euro në sezon.

Ata i kishin ofruar vetëm nga tetë milionë Ronaldo-s (Fenomenit) dhe Roberto Carlos-it, në tentativat e mëparshme që kishin bërë për të kontraktuar të dy brazilianët, drejt fundit të karrierës së tyre.

”Blerja e Gattusso-s është një përparësi për ne”, deklaroi një burim i klubit kaukazian, shumë pranë Çeçenisë, në faqen ruse “Lifesports.ru”.

”Tani ai është në moshën e duhur për të menduar për fundin e karrierës dhe për një kontratë të fundit avantazhuese. Anzhi mund t’ia lejojë vetes një shpenzim të rëndësishëm për një ikonë të futbollit botëror.

Ne jemi të gatshëm të ofrojmë dyfishin e pagës së tij, plot dhjetë milionë euro, nëse lojtari do të vendosë që të mos rinovojë me Milanin”.  

Skuadra dagestanase drejtohet prej një prej njerëzve më të pasur në Rusi, oligarkut Suleiman Kerimov. Ai pretendon të ndërtojë një prej skuadrave më të forta në Rusi, në gjendje që të dyluftojë me gjigantët moskovitë e pjetërburgas.

Top Channel