Dhuna në Lushnje, prokuroria hap hetimet

28/02/2011 20:10

Kryetari i Kolegjiumit të Elbasanit, Sopot Resmeliu ka deklaruar se nuk do t’i drejtohet organeve të drejtësisë për dhunën e ushtruar në fushën e Lushnjes, por do të mjaftohet vetëm me trajtimin e cështjes nga Komisioni i Disiplinës.

“Ne nuk shkojmë në gjykatë, pasi ngjarja ka ndodhur në fushën e lojës dhe masën ta marrë Komisioni i Disiplinës. Jemi të mjaftueshëm në këtë pikë”, ka deklaruar Resmeliu.

Por, ndryshe nga gjyqtarët, të cilët kërkojnë të zgjidhin cështjen e dhunës brenda familjes së futbollit, është prokuroria ajo që nisi cështjen penale për dhunën fizike të ushtruar ndaj gjyqtarit të takimit Lushnja-Pogradeci.

Nën hetim janë mjeku i ekipit të Lushnjes dhe një prej lojtarëve. Prokuroria sekuestroi pamjet filmike të televizioneve që filmuan momentet e dhunës ndaj anësorit që mbeti i dëmtuar në fushën e lojës.

Ndeshja ku ndodhi incidenti ishte e vlefshme për kategorinë e parë dhe është fituar nga Pogradeci. Por gjatë takimit ndeshja u kthye në një përleshje boksi.

Shkak është bërë një sinjalizim i anësorit gjatë aksionit të lushnjarëve me futbollistin Dorjan Bubeqi. Mes tij dhe anësorit ka nisur një debat në të cilin është përfshirë edhe mjeku i ekipit të Lushnjes, Arjan Caka, i cili ka vrapuar dhe ka goditur anësorin.

Me gjithë ndërhyrjen e gjyqtarit kryesor dhe lojtarëve të tjerë, anësori është dhunuar dhe goditur me grushta nga një prej lojtarëve të Lushnjes dhe mjeku i ekipit.

Për shkak të dëmtimeve, anësori kërkoi ndihmë mjekësore. Ndërsa në fund të takimit konfrontimet kanë vijuar edhe në ambjentet e brendshme të stadiumit.

Personat e përfshirë në këtë incident, nëse vërtetohet fajësia, mund të akuzohen për goditje për shkak të detyrës. Pas ngjarjes prokuroria nisi menjëherë hetimin bazuar në pamjet filmike të transmetuara nga televizionet.

Top Channel