Juventus, tjetër humbje

27/02/2011 08:00

Juventus nuk po mund të gjejë shërim në Serinë A.

Skuadra torineze pësoi një tjetër humbje, këtë radhë në fushën e saj ndaj Bolonjës me rezultatin 0-2 që i shkakton jo pak probleme Zonjës së Vjetër.

Në pjesën e parë të ndeshjes ishte Juventus ai që kërkoi më shumë për të shënuar golin e avantazhit, por futbollistët bardhezinj nuk mundën dot të çanin murin e krijuar nga mbrojtja e Bolonjës. Iakuinta ishte ai që iu afrua më shumë golit, por gjuajtja e tij u ndal nga shtylla.

Me fillimin e pjesës së dytë, Bolonja bëri atë që nuk mundi të realizojë Juventusi në 45 minutat e para. Marko Di Vaio bëri që të heshtë stadiumi Olimpik i Torinos duke shënuar në portën e mbrojtur nga Storari.  

Pas 15 minutash, po ky futbollist ndëshkoi sërish Juventusin duke shënuar golin e dytë pasi shmangu mjaft mirë në zonë mbrojtjen torineze.

Më këtë humbje Juventus renditet në vendin e shtatë në Serinë A me 41 pikë, ndërsa Bolonja pozicionohet në vendin e 11 me 35 pikë.

 

Top Channel