Jemi në pjesën më perëndimore të Kosovës, buzë Alpeve që ngrihen mbi lumin e Lumëbardhit, në luftë e paqe njihet me emrin Deçan.

24 shkurti e gjen qytetin të mbuluar nga dëbora, rituali i natyrës nuk harron për një qytezë të tillë që shtrihet 700 metra mbi nivelin e detit. Përshëndetjen e parë përgjatë rrugëve të tij ta japin memorialet e Luan Haradinajt, Sali Cekajt apo Mentor Tolajt.

“Nuk ka aq sa duhet lapidarë, duhet të kishte më shumë. Ata që përjetohen në to janë gurë themeli dhe arkitetët e pavarësisë së Kosovës”, shprehet Ali Geci.

Dikur me 42 fshatra, Deçani e gjen veten sot shumë herë më të vogël, me një numër popullsie prej 66 mijë banorë, me shumicë shqiptare. Këta të fundit përbëjnë 98.6% të qytetit dhe rrethinave, serbët me 2.2 % dhe etnitë e tjera me 0.1%. Me një ekonomi modeste bujqësore, të shkatërruar gjatë periudhës së luftës, sot qyteti regjistron 650 biznese me aktivitet tregtar dhe mikro-industrial.

Përshkojmë bregun e Lumëbardhit, tashmë i zbardhur nga dëbora. Manastiri i Deçanit shfaqet me “harqet e  hijshme”, teksa historianët thonë se ndonëse sot janë serbët ata që e pretendojnë si pronë të tyren, dikur, para mbërritjes së islamit në këto anë, ai ishte shtëpi e të gjithë të krishterëve, shqiptarë e kombësi të tjera. Vepra e kultit vazhdon të mbrohet  nga trupat italiane të KFOR-it. Nënkryetari i Kishës Ortodokse, At Sava, na informon  për vlerat e manastirit, i pranuar nga UNESCO si pasuri kulturore botërore.

“Manastiri është ndërtuar mes viteve 1327-1335 të shekullit të kaluar. Ai u themelua nga djali i Car Dushanit. Afresket e Kishës kanë përfunduar në 1350-ën, janë 1000 afreske, secila mban shenjtorët sipas ditëve të vitit. Manastiri vizitohet nga serbët, shqiptarët e Shqipërisë dhe nga ata të Kosovës”, tregon At Sava.

Ndërkohë, edhe themeluesi i tij, Stefan Deçanski, prehet aty për tu dhënë besimtarëve mbarësi dhe shpresë.

Ndërsa rruga tjetër na çon tek Kulla e Ali Demë Gecit, e njohur në popull si
Kulla e familjes Geci. Gjendet në fshatin Llukë e Ulët, bën pjesë në tipin më të
vjetër të kullës së Rrafshit të Dukagjinit. Që prej ndërtimit në shekullin e 18-të ka qenë pronë e familjes Geci, duke i shpëtuar tre herë shkatërrimit.

Objekti që sot është në mbrojtje të UNESCO-s shërben edhe si muze. Ali Geci, i zoti i saj në periudhën e Luftës në Kosovë ka qenë zëdhënës i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës për Rrafshin e Dukagjinit. Në këtë mënyrë, ndërtesa e Selim Sylës, Tahir dhe Elez Gecit, ky i fundit dëshmor, është shprehje e vetëdijes kombëtare që familja Geci ka trashëguar në kohë.

Ashtu si kullat, qyteti buzë Bjeshkëve të Nëmuna ruan edhe veshjet popullore. Traditën e Pejës, Prizrenit, Rugovës, Drenicës dhe Rrafshit të Dukagjinit i gjejmë në kostumet e punuara me kujdes nga gratë e Deçanit.

Do të ngatërrohej me një amvise korçe, por quhet Elisabeta dhe është tashmë një deçanase e vërtetë. Pjatat e mrekullueshme i gatuan vetë, një shtëpiake e përkushtuar për burrin dhe fëmijët. Sot po përgatit “pite me rrathë”, i ngjashëm me atë të Korçës, por për këtë trevë është ushqim i traditës bashkë me “tespishtet” apo “Leçenik i mastitun”.

Të fundit që takojmë në këtë “udhëtim dimëror” janë çifti Haradinaj. Martesa e tyre ka kapërcyer “përvjetorin e artë”. Edhe pse shëtisin nëpër botë, ata rikthehen në Deçan për bukuritë natyrore, njerëzit që jetojnë aty dhe dashurinë për vendlindjen.

“Deçanin e duam shumë sepse kemi lindur këtu dhe ka ajrin shumë të pastër”, shprehet çifti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA