Skënderbeu fiton “miqësoren”

25/02/2011 20:05

Me dy gola të dyshimtë Skënderbeu fitoi 3-1 ndaj Dinamos në Qemal Stafa, një sfidë që më shumë se një ndeshje Superlige mes kampiones në fuqi dhe pretendentes për titull i ngjau një ndeshjeje miqesore, të paktën për blutë që ndihmonin korçarët të shtynin topin drejt portës së tyre.

Skënderbeu e filloi ndeshjen me avantazhin 1-0, pasi në minutën e 2 fitoi një 11-metërsh, i shndërruar në gol nga Shkëmbi. Në të dytën, në të vemtin rast që doli para portës korçare, Allmuça barazoi shifrat. Por ende pa kaluar 1 minutë, Skënderbeu kalon sërish në avantazh me Sozën.

Duke mos u mjaftuar me kaq, në ndihmë të korçarëve erdhi edhe portieri i Dinamos, i cili ndëshkohet me të kuq pas një topi të prekur me dorë jashtë zonës.

Në fundin e ndeshjes është Soza i cili sërish nga një pozicion i dyshimtë shënon golin e tretë për Skënderbeun, duke sigluar një fitore, siç kishin parashikuar se do të ndodhte shtypi dhe specialistët.

Me këto tre pikë skudra korçare ngjitet në kuotën e 45 pikëve, 1 më pak se Flamurtari kryesues që do të ndeshet me Elbasanin të dielën.

Në ndeshjen tjetër, Laçi ka fituar 2-0 në Kavajë përballë Besës, e cila ende nuk po arrin të dalë nga kriza e rezultateve.

 

Top Channel